Jeni një i ri/e re i/e moshës 16 deri në 18 vjeç/e me banim në Prishtinë? A ndiheni të mbingarkuar nga sfidat e shkollës, provimeve dhe presioneve shoqërore? A po kërkoni udhëzime dhe mjete për të lundruar përmes këtyre pengesave në mënyrë efektive? Nëse po, ju ftojmë të aplikoni në programin tonë novator të trajnimit për të rinjtë: “Thyerja e Barrierave”.
I gjithë koncepti i kësaj nisme buron nga një analizë e literaturës brenda rajonit dhe pesë intervistave të realizuara me të rinj dhe të reja në Prishtinë. Ky hulumtim na ka ndihmuar të identifikojmë shqetësimet kryesore të kësaj grupmoshe, duke përfshirë ankthin për të ardhmen e tyre arsimore, stresin nga provimet gjatë programit akademik, ndjenjën e mungesës së mbështetjes nga komuniteti dhe ankthin social. Për më tepër, është vërejtur se edhe pse të rinjtë në Prishtinë janë të vetëdijshëm për sfidat e shëndetit mendor me të cilat mund të ballafaqohen, atyre u mungon njohuria e mjaftueshme se si të përballen me to.
Prandaj, qëllimi kryesor i iniciativës sonë është të ofrojmë udhëzime dhe trajnime për të rinjtë mbi mënyrat efektive për të adresuar këto sfida. Do t'i pajisë ata me aftësitë dhe mjetet e nevojshme për t'u përballur me pengesat e përditshme dhe më të mëdha që mund të hasin në jetën e tyre.
“Thyerja e Barrierave”: Trajnimi për të rinjtë dhe të rejat e moshës 16-18 vjeç në Prishtinë do të jetë një program trajnimi dyditor që do të zhvillohet gjatë muajit prill. Ju lutemi vini re se ka një numër të kufizuar vendesh në dispozicion për shkollë.
Kriteret për aplikim:
- Mosha: 16-18 vjeç;
- Vendbanimi: Prishtinë;
- Aftësi për të komunikuar në mënyrë efektive në gjuhën shqipe.
Afati i fundit për aplikim: 14 prill 2024
Për çdo pyetje apo paqartësi, ju lutemi kontaktoni Fisnik Egër, në numrin e telefonit +38345878886.
Ky trajnim mbështetet nga Programi për Angazhim Qytetar, një iniciativë pesë vjeçare që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me misionin e USAID në Kosovë.