Hasan Mehmeti

Hasan (Mehmet) Mehmeti (Vërban, Viti, Kosovë, 10 korrik 1950 – Matiçan, Prishtinë, Kosovë, 29 mars 1999) ishte mësues shqiptar nga Kosova, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetar i Nëndegës së LDK-së në Obiliq, i maltretuar i regjimit serb, martir i luftës së Kosovës.

Hasan Mehmeti vjen nga një familje fshatare përparimtare dhe atdhetare. Në vitin 1956 familja e tij shpërngulet nga fshati Vërban, Komuna e Vitisë, Kosovë për në Tetovë për arsye ekonomike, pasi babai i tij, Mehmeti, ishte punësuar prej kohësh në një sipërmarrje ndërtimi atje. Familja e gjerë Mehmeti sot kryesisht jeton në Tetovë, përveç familjes së Hasanit, që jeton në Matiçan të Prishtinës.

Hasani shkollimin fillor e kreu në Shkollën Fillore “Istikball”, ndërsa të mesmen në Shkollën Normale “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, me qëllim të punësimit sa më të shpejtë dhe mbajtjen e familjes, në të cilën ishte fëmija i dytë prej shtatë sa ishin gjithsej. Para, e edhe pas punësimit të tij të parë, familja siguron të ardhurat nga puna ndërtimore, në të cilën përveç Mehmetit, janë të angazhuar edhe Hasani e vëllezërit tjerë. Pas diplomimit në vitin 1969, ai punësohet si mësues në Shkollën Fillore “Jeta e Re” në fshatin Shipkovicë të Tetovës, ku punoi një vit shkollor. Nga 27 gushti 1970 deri më 25 janar 1972, gjegjësisht për shtatëmbëdhjetë muaj, kreu shërbimin ushtarak në të ashtuquajturën “Armata Popullore e Jugosllavisë”, në qytetet serbe Negotin dhe Zajeçar, ku u aftësua si radiotelegrafist.

Në mars të vitit 1973, Hasanin e gjejmë mësues në Shkollën Fillore “Vëllazërimi” (më vonë “Pandeli Sotiri”) në Obiliq, Kosovë dhe student me korrespodencë në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Degën e Gjeografisë. Në ndërkohë, më 17 korrik 1977, martohet me Ajshe Gashin (1956) nga fshati Begracë, Komuna e Kaçanikut.

Në kuadër të punësimit në Obiliq, deri në vitin 1985, ai punoi, e më vonë edhe e udhëhoqi paralelen e ndarë në fshatin Krushevc, ku jetoi përkohësisht me qira. Përkundër dilemave të mëdha, gjatë trazirave të vitit 1981, përfundimisht vendosë të mbetet në Kosovë, siç ka thënë, “aty ku gjendej shumica”. Në vitin 1985 zhvendoset me punë dhe shtëpi në Obiliq. Gjatë kohës sa ka shërbyer në këtë shkollë, puna e tij është kanalizuar në dy drejtime: në arsimimin dhe edukimin e brezave të reja të rinisë shkollore në tabanin kombëtar dhe në ngritjen e jetës kulturo-zbavitëse në shkollë dhe jashtë saj. Jashtë punës Hasani njihej si njeri shumë i talentuar dhe i gjithanshëm: sportist, muziktar, frizer, daktilograf, mjeshtër, njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës frënge e gjuhëve sllave të rajonit etj. Si sportdashës ai ka organizuar disa herë turne të futbollit të vogël në kuadër të shkollës, për çka disa herë është shpërblyer me mirënjohje. Ka qenë organizator i manifestimeve të ndryshme në nivel të shkollës ku ka punuar. Është angazhuar edhe në shoqëritë kulturo-artistike “Aca Maroviq”, “Bajram Curri” etj. si instrumentist në çifteli dhe violinë. Si violinist amator ka marrë pjesë edhe në Festivalin IV. të SHKA-ve të Kosovës “Kosovarja Këndon” që është mbajtur në Ferizaj prej 17 deri më 24 nëntor 1976, për çka ka marrë mirënjohje nga organizatorët.

Kur regjimi serb mbylli të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në verën e vitit 1990, Hasani me bashkëmendimtarë të tij refuzoi plan-programin shkollor të Serbisë dhe përqafoi plan-programin e arsimit shkollor shqip të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, duke punuar për kohë të gjatë në kushte të vështira pune, pa pagesë e nën përcjellje e shantazhe të regjimit serb. Disa herë ishte organizator i hyrjeve të dhunshme në objektet shkollore dhe gjetjes së objekteve private për zhvillim të mësimeve.

Në fillim-vitet e nëntëdhjeta Hasani anëtarësohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), kurse në saje të vetëmohimit dhe aktivitetit të madh që zhvillon, zgjedhet kryetar i Nëndegës së LDK-së në Obiliq. Policia sekrete serbe e përcjell aktivitetin e tij arsimor në shkollë dhe atë politik jashtë shkollës dhe pas zgjedhjeve të 24 majit 1992 në Kosovë, pjesë e organizimit të të cilave në Obiliq ishte edhe vet ai, paramilitarë serbë e sulmojnë fizikisht në shtëpinë e tij dy ditë më vonë, gjegjësisht në mesnatën e 26 majit 1992, me ç’rast i shkaktojnë plagë të rënda trupore dhe trauma psikike familjes së tij. Për shkaqe të sigurisë personale e familjare, Hasani me familje largohet nga shtëpia dhe strehohet në vende e miq të ndryshëm deri më 13 janar 1993, kur përfundimisht shpërngulet në Prishtinë për të jetuar përsëri me qira.

Pas lëndimeve të pësuara nga maltretimi i fundit, Hasani vuan nga “lumbo-ischialgia”, sëmundje që e paaftëson për punë për periudha të konsiderueshme kohore. Në këto kushte shëndetësore dhe duke qenë nën presion të vazhdueshëm politik, në fund të gushtit 1993 ai shkon në Zvicër për të kërkuar shërim dhe strehim politik. Në pritje të vendimit për strehim, i cili në fund i refuzohet, Hasani qëndron për shtatë muaj në pjesë të ndryshme të Zvicrës, për ç'kohë ai merr trajtime të ndryshme mjekësore, kurse në kohën e lirë e freskon frengjishten e mësuar në Normale dhe mëson gjermanishten rrjedhshëm. Duke qenë në pushim të zgjatur mjekësor për këtë periudhë, disa individë në shkollën e Obiliqit, të cilët nuk ia duan të mirën, e largojnë nga puna, pas më shumë se 22 vjetësh përvoje e kontributi. Pasi refuzon të mbetet në Zvicër ilegalisht, duke respektuar vendimin e autoriteteve atje, kthehet në Kosovë në fund të marsit 1994. Me t’u kthyer, e për një kohë të gjatë, më kot trokiti derë më derë për drejtësi te autoritetet e atëhershme arsimore kosovare, por vendin e merituar të punës si mësues nuk arrin ta kthejë deri në vdekje, me çka futet në një depresion dhe varfëri të theksuar. Kjo situatë i vështirësohet edhe më tepër kur në vazhdën e presioneve politike, merret disa herë në biseda informative nga policia kufitare serbe derisa vizitonte familjen në Tetovë, duke u detyruar t'i ndërpresë vizitat pas vitit 1995 e për t'u izoluar kështu edhe më tepër.

Me gjithë gjendjen e vështirë ekonomike me të cilën ai ndeshet, në maj të vitit 1994, me sukses i nënshtrohet një operacioni neuro-kirurgjik në Spitalin e Prishtinës, pas lëngimeve të gjata 12-vjeçare, të cilat e lënë pjesërisht të hendikepuar në këmbën e prekur edhe pas operacionit, për shkak të atrofisë së muskujve. Në tetor të atij viti, përfundimisht vendoset në Matiçan të Prishtinës, në një shtëpi të vogël të cilën e ndërton vetë me sakrifica të shumta. Gjatë pesë vjetëve të fundit të jetës së tij e deri në ditët e fundit të jetës, në saje të ndihmës së disa miqve, me ndërprerje të shumta punoi në Shkollën Fillore “Mitrush Kuteli” në Matiçan dhe në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, por vetëm si zëvendësim për mësuesit në mungesë.

Disa ditë para fillimit të bombardimeve mbi territorin e ish-Jugosllavisë më 24 mars 1999, Hasani strehon familjen në qytetin e Prishtinës, ndërsa vetë, për disa ditë mbetet në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Pas një ofensive të forcave serbe në Prishtinë, banorët e mbetur të Matiçanit ndahen nga pjesa tjetër e qytetit dhe detyrohen të largohen në drejtim të lindjes në kërkim të sigurisë. Hasani u vra nga forcat serbe në Matiçan, në mëngjesin e 29 marsit 1999, derisa me banorë të tjerë të fshatit po largohej në drejtim të fshatit Mramor. Trupi i tij dhe i disa të vrarëve të tjerë me këtë rast mbetet mbi dhé deri më 2 prill 1999, kur fshatarë vullnetarë dhe ushtarë të UÇK-së i varrosin në fshatin fqinj, Zllatar, ashtu të veshur.

Pas përfundimit të luftës, ekipet e mjekësisë ligjore e zhvarrosin trupin e tij më 6 shtator 2001 e pas hulumtimeve të kryera, me ceremoni publike rivarroset në të njëjtin lokalitet më 11 tetor 2001. Trupi i tij prehet bashkë me 12 të vrarë tjerë të luftës, në Zllatar afër Prishtinës, pranë një përmendoreje të përbashkët të ngritur nga vetë familjarët. Pas vetes la bashkëshorten Ajshen, vajzën Teutën (1979) dhe djemtë, Namikun (1980) e Beharin (1988).

Pas luftës kuptohet se angazhimi i tij në luftë në radhët e UÇK-së, sado që jo publik, si ushtar i zakonshëm, ishte evident, por si i tillë ende mbetet i padokumentuar dhe me gjasë, sekret.

Hasani përmendet në këngën e Ilir Shaqirit me titull “Majl Drenica”, të cilën këngëtari ia ka kushtuar dëshmorit të luftës së shqiptarëve në Maqedoni, të vitit 2001, Ismail Mehmetit, nipit të Hasanit, i cili gjithashtu u vra në Tetovë më 17 gusht 2001.

(Familja, 2009-2010)